Revista Studime Orientale

Edicioni i ri i revistës “Studime Orientale” vjen si kurorëzim i punës kolektive në fushën e studimeve orientale në Kosovë, prej themelimi të Degës së Orientalistikës më 1973 në Fakultetin Filozoik (tani Filologjik) të Universitetit të Prishtinës.

Stafi i Orientalistkës, në krye me Hasan Kaleshin, punimet e studimet e tij shkencore me vite i botoi në revista shkencore të Kosovës dhe më gjerë, në gjuhë të ndryshme evropiane dhe të Lindjes.

Me formimin e Shoqatës së Orientalistëve të Kosovës më 2006, doli revista “Studime Orientale”, kryeredaktor i së cilës ishte Akad. Feti Mehdiu, që në tre numra me radhë botoi punime dhe studime shkencore të autorëve shqiptarë dhe joshqiptarë.

Më vonë, më 2013 në këtë frymë doli edhe revista shkencore “Hikmet”,  me kryeredaktor Dr. Abdulla Rexhepin, e cila në 12 numra solli kontribute të reja të orientalistëve shqiptarë e më gjerë.

Duke marrë parasysh se stafi themelues i Shoqatës së Orientalistëve të Kosovës dhe redaksisë së saj është tani në kuadër të Institutit dhe të revistës, edicioni i ri i revistës “Studime Orientale” po vazhdon punën me një orientim më të gjerë, duke botuar punimet në pesë gjuhë (anglisht, shqip, turqisht, persisht e arabisht) dhe synon të ndërtojë ura të reja midis orientalistikës në Kosovë dhe në Ballkan dhe rrethit më të gjerë të orientalistikës në botë.

Revista “Studime Orientale” boton punime shkencore origjinale dhe të përkthyera nga gjuhë të ndryshme, si dhe vështrime, recensione e kritika për botimet e reja shkencore, si dhe raporte të konferencave dhe seminareve shkencore që kanë të bëjnë me studimet orientale.

Kështu dhe, redaksia mirëpret çdo kontribut shkencor në fushën e orientalistikës.

Muhamed Mufaku, kryeredaktor